Çfarë është letra e motivimit?
Letra e motivimit  është një dokument që shoqëron CV personale kur aplikoni për një punë, ndryshe  quhet dhe deklarim i qëllimit.  Letra është afërsisht 200-250 fjalë, jo më shumë se një faqe e gjysëm dhe ka një strukturë relativisht rigoroze. Qëllimi është të tregohen aktivitetet ndihmëse, ose të theksohen aktivitetet e cilësuara në CV tuaj të cilat ju rrisin shanset për ta fituar një vend pune. Me fjalë të tjera, letra e motivimit duhet të jetë përgjigja e pyetjes së punëdhënësit: “përse duhet të punësoj pikërisht këtë person?”

Përmbledhje e përgjithshme
Letra e motivimit është gjithmonë e shkruajtur nga vetë personi që kërkon një vend pune. Ajo është shpesh pjesa më e rëndësishme e aplikimit për punë sepse i tregon punëdhënësit aftësitë tuaja të komunikimit, të vendosjes së theksit në aktivitetet që ju keni kryer, të reklamimit të cilësive tuaja, të aftësive tuaja të artikulimit, deri diku dhe të personalitetit tuaj.

  1. Letra e motivimit duhet të jetë konçize, e organizuar mirë, e përshtatur për vendin e punës ku ju aplikoni.
  2. Letrat e motivimit marrin shumë kohe, megjithatë mos ngurroni t’i jepni kohën dhe rëndësinë e duhur dhe ta formuloni sa më mirë
  3. Evitoni letra që nuk i drejtohen një personi të caktuar (evitoni: I nderuar Zotëri/Zonjë, Drejtuar Personit Përgjegjes/të interesuar etj) Mundohuni të gjeni paraprakisht kujt duhet t’i drejtohet letra, titullin e saktë të personit përgjegjës si dhe adresën e biznesit.
  4. Jini te fokusuar dhe konçizë. Lini jashtë detajet e tepërta. Evitoni të përsërisni informacionin që keni dhënë tashmë në CV
  5. Jini të sjellshëm dhe profesionalë. Falënderoni punëdhënësin  për konsiderimin e aplikimit tuaj, për mundësinë e intervistës, etj.
  6. Firmosini letrat tuaja. Është e rëndësishme të tregoheni seriozë duke siguruar autorësinë, marrjen e përgjegjësive mbi materialin që keni dhënë, si dhe për të evituar ndonjë ngatërresë të mundëshme.

Çfarë duhet përfshirë

  1. Tregoni interesin tuaj ndaj pozicionit, punëdhënësit, kompanisë, institucionit etj. Bëni kërkimin tuaj mbi institucioni ku po aplikoni!
  2. Identifikoni dhe zgjeroni informacionin mbi aftësitë tuaja dhe eksperiencat e punës më të vlefshme për pozicionin që po aplikoni.
  3. Tregoni se si keto aftësi plotësojnë kërkesat e punëdhënësit.

Çfarë nuk duhet perfshirë

  1. Sqarime të stërholluara të CV tuaj
  2. Gabime gramatikore apo drejtshkrimi
  3. Ripërsëritje e shprehjeve formulë, kjo tregon mungesë imagjinate.
  4. Informacion personal të panevojshëm, apo fotografi

Çfarë s’duhet të bësh
Letra e motivimit është prezantimi yt i parë me punëdhenësin, nisur nga ky fakt gabimet në formulimin a saj duhen eleminuar sepse përshtypja e parë luan rol të rëndësishëm në imazhin tuaj afatgjatë. Qëllimi ynë është t’ju krijojmë një ide për modelimin dhe strukturimin e letrës së motivimit në mënyrë që ajo të jetë funksionale dhe e dobishme për punësimin tuaj.
1) Mos e ekzagjero me ‘unë’! Letra e motivimit nuk është autobiografi. Fokusohu në përmbushjen e kërkesave të punëdhënësit jo në historinë e jetës tende. Nuk duhet të japësh përshtypjen e njeriut të përqendruar tek vetja, prandaj minimizo përdorimin e fjalës ‘unë’ sidomos në fillim të fjalisë.

2) Mos bëj nisje të dobët të letrës! Në krijimin e letrës përqendrohu në hapjen e saj, është me rëndësi të zgjosh interes tek lexuesi duke i tërhequr vëmendjen që në fillimet e letrës. Përshembull: Një hapje e dobët - Ju lutem më konsideroni mua në pozicionin e përgjegjësit të shitjeve.  Mënyra e sakte: Eksperienca dhe pozicioni që ju ofroni përkon me eksperiencën time 3 vjecare si top-menaxher. 

3) Mos përjashto pikat e tua të forta! Letra e motivimit është treguesi i aftësive të tua si kandidat. Sikurse dhe CV, letra e motivimit duhet të jetë e detajuar me arritjet e tua profesionale, duhen dhënë arsyet kryesore përse ti duhet të jesh ai/ajo që thirret për intervistë. Në letrën e motivimit duhen theksuar sukseset e tua të deritanishme.
Për shembull: Aftësitë komunikuese - Pesë vjet eksperiencë në ligjëratë  publike, dhe eksperiencë në nivelin ekzekutiv të raportimit. Njohuritë kompjuterike: Nivel i çertifikuar në MS Office, si dhe ekspert në dizenjimin dhe zhvillimin e faqes internet.

4) Mos përpiloni një letër as tepër të gjatë as tepër të shkurtër! Nëqoftëse letra juaj është vetëm një ose dy paragrafë ka shumë mundësi të mos paraqesë të gjithë informacionin thelbësor duke e bërë letrën jo efektive. Nëqoftëse e kalon një faqe mund të bëhet e mërzitshme, pikërisht për këtë fakt duhet të jetë sa më koncize dhe tërheqëse. Respekto kohën e atij që e lexon!

5) Mos përsërit fjalët e CV tënde Letra e motivimit nuk duhet të përsërisë atë që keni shkruar në CV. Formulo në mënyrë  efikase letrën dhe lejo që CV jote të mos mbetet në hije. Mund të tregosh një nga arritjet e tua shkurtimisht, si “Shitja ime më e madhe”, ose “Triumfi im teknologjik”.

 6) Ji specifik!Në momentin që ti i përgjigjesh një oferte pune referohu tek pozicioni specifik i punës që ofrohet. Punëdhënësit i paraqiten shumë aplikime kështu që sigurohu që në letrën tënde të japesh gjithë përbërësit që përkojnë me kërkesat dhe nevojat e punëdhënësit.

7) Mos harro, të shkruarit duhet të jetë uniform!Nëqoftëse ti po aplikon për një numër të ndryshëm pozicionesh atëherë mënyra e të shkruarit duhet të jetë në vija të përgjithshme dhe uniforme. E rëndësishme është të mos e drejtosh letrën tënde në vendin e gabuar me emrin e gabuar.

8)Mos e mbyll letrën në mënyrë pasive! Vendos të ardhmen tënde në duart e tua dhe suksesi do të pasojë. Tingëllo i sigurtë për aftësitë e tua; mbylle letrën me një fjali si: “Do të jem duke ndjekur me vëmendje zhvillimet dhe jam i gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve që mund të keni. Ndërkohë mund të kontaktoni me mua në këtë numër telefoni”.

9)Mos u trego i pasjellshëm! Letra juaj e motivimit duhet të pasqyrojë falenderimet tuaja si dhe konsideratën për kohën e lexuesit.

10)Mos harro të firmosësh letrën tënde!
Etika duhet të karakterizojë letrën tuaj. Firmosja tregon vëmendje ndaj detajeve gjë që vlerësohet në etikën e biznesit. Nëqoftëse letra juaj dërgohet me e-mail firmosja s’është e domosdoshme.

Këto materiale janë përzgjedhur nga PORTAL PUNE në bashkëpunim me Qendrën Studentore të Universitetit “Marin Barleti” në Tiranë